Arti i Identitetit, Stilit dhe Ndikimitnga Zajmira QERAXHIU

GERTA CICI
Përtej imazhit, identiteti i një gruaje

  1. Kush është gruaja pas imazhit që miliona njerëz shohin në ekran?
    Një grua shumë më e thjeshtë nga sa duket online. Jam ambicioze, kreative, shumë kërkuese me veten dhe gjithmonë duke menduar për projektin apo idenë e radhës. Imazhi është vetëm një pjesë e imja.
  2. Kur kuptove se ndikimi yt mund të bëhej një profesion, një zë dhe një identitet?
    Kur kuptova që njerëzit nuk ndiqnin vetëm atë që vishja, por mënyrën si e shihja modën, imazhin dhe estetikën. Aty filloi të bëhej diçka më e madhe se social media.
  3. Çfarë do të thotë për ty të jesh influencer e suksesshme sot?
    Të kesh një identitet që njihet pa pasur nevojë të shohësh emrin. Dhe mbi të gjitha, të kesh besimin e njerëzve që të ndjekin.
  4. Stili yt është pjesë e fortë e identitetit. Si e ke ndërtuar këtë signature?
    Nuk e kam ndërtuar me rregulla. Me vite kam kuptuar çfarë më përfaqëson dhe çfarë jo. Më pëlqejnë linjat e pastra, siluetat femërore, monochrome, fustanet maxi dhe herë pas here një element që e thyen të gjithë look-un.
  5. Çfarë do të thotë për ty eleganca?
    Të mos përpiqesh shumë. Eleganca për mua është mënyra si e mban veten, jo vetëm ajo që ke veshur.
  6. Në një botë ku gjithçka publikohet dhe ekspozohet, çfarë zgjedh të mbash vetëm për veten?
    Shumë më tepër nga sa njerëzit mendojnë. Ka marrëdhënie, emocione dhe momente që kanë më shumë vlerë kur nuk bëhen content.
  7. Sa e rëndësishme është autenticiteti kur imazhi është pjesë e profesionit?
    Është thelbësor. Mund të krijosh një imazh të bukur, por njerëzit e kuptojnë shumë shpejt kur pas tij nuk ka një identitet të vërtetë.
  8. Cila ka qenë sfida më e madhe që të ka formuar si grua dhe si profesioniste?
    Të filloja përsëri në një vend të ri dhe të ndërtoja veten profesionalisht në New York. Më ka mësuar të mos pres që dikush tjetër të krijojë hapësirën time.
  9. A ka pasur një moment kur ke kuptuar: “Tani kam krijuar emrin tim”?
    Jo një moment të vetëm. Ishte kur fillova të kuptoja që njerëzit më kërkonin jo vetëm për fytyrën apo audiencën time, por për syrin tim kreativ dhe mënyrën si ndërtoj një imazh apo një botë për një brand.
  10. Si i zgjedh njerëzit dhe markat me të cilët lidh emrin tënd?
    Duhet të ketë një lidhje reale me mua. Nëse nuk do ta vishja, përdorja apo rekomandoja vetë, nuk ka kuptim ta prezantoj vetëm sepse është një bashkëpunim.
  11. Çfarë nuk do të bëje kurrë vetëm për më shumë followers apo më shumë vëmendje?
    Nuk do të krijoja një version të vetes vetëm sepse funksionon më mirë online. Vëmendja kalon shpejt; identiteti mbetet.
  12. Çfarë dëshiron t’u transmetosh grave që të ndjekin?
    Që mund të jesh femërore, ambicioze, kreative dhe e fortë në të njëjtën kohë. Nuk duhet të zvogëlosh një pjesë të vetes për të bërë vend për tjetrën.
  13. Cila është ëndrra që ende nuk e ke realizuar?
    Të ndërtoj diçka timen në një shkallë shumë më të madhe — një platformë kreative dhe një emër që të jetojë përtej imazhit tim personal.
  14. Si dëshiron të kujtohesh: për bukurinë, stilin, suksesin apo ndikimin që ke lënë te të tjerët?
    Për atë që kam krijuar. Bukuria dhe stili ndryshojnë me kohën; ajo që ndërton dhe mënyra si i bën njerëzit të ndihen kanë më shumë jetë.

Çfarë do të thotë EXCELLENCE për ty?
Të mos kënaqesh me “mjafton”. Excellence është të kujdesesh për detajet që ndoshta askush tjetër nuk i vëren, por që në fund bëjnë gjithë diferencën.